NJË MBRËMJE E RRALLË LETRARE -ARTISTIKE
Mbrëmjen e së shtunës, më 14 prill, në një atmosferë artistike e shumë të ngrohtë, në prani të shkrimtarëve e krijuesve të fushave të ndryshme të artit dhe të dashamirëve të shumtë të fjalës së shkruar, u bë prezantimi i autorit, artistit e publicistit tashmë shumë të njohur, Gani Bytyçit. Me këtë rast u bë edhe promovimi i librit të tij ‘Makth’ (përmbledhje tregimesh), libër i cili është duke bërë një jehonë të vërtetë që kur doli nga shtypi. Referues i këtij takimi ishte shkrimtari dhe kritiku letrar Shefqet Dibrani, i cili e vlerësoi shumë lart autorin dhe gjithë krijimtarinë e tij letrare, artistike e publicistike, duke i cilësuar tregimet e tij si perla të letërsisë shqiptare: ”Pa dyshim, tregimet e Gani Bytyçit, janë një perlë e rrallë, kurse vepra si tërësi është një ditar autentik, i cili flet për robërinë dhe zhvillimet letrare të asaj kohe në Kosovë, duke rrëfyer për deformimet e shumta politike, morale e shpirtërore të atij sistemi. Në tregim, përmes rrëfimit artistik, Gani Bytyçi paraqet rezistencën e pathyeshme intelektuale, guximin qytetar dhe gatishmërinë për t’u sakrifikuar e përballur me sfidat e asaj kohe, në rrugëtimin drejt lirisë…”. Në vazhdim, z. Dibrani tha se për librin ‘Makth’ kanë dhënë vlerësimet e tyre më të mira edhe shkrimtarë e studiues të letërsisë, si Prof. dr. sc. Faik Shkodra (recenzent i librit), i cili tregimet e Gani Bytyçit i vlerëson si “tregime sintetizuese me vlera të veçanta ideo-estetike”, për të vazhduar më tej: “Gan Bytyçi, në të gjitha tregimet lëndën bazë e ka marrë nga realiteti i kohës dhe duke qenë i kujdesshëm dhe i vëmendshëm në kapjen e ngjarjeve ai nuk del jashtë kohës, jashtë hapësirës shqiptare, jashtë qëndresës së madhe kombëtare, jashtë mitit të tokës dhe historisë shqiptare, jashtë mprehtësisë dhe mençurisë së botës shqiptare, jashtë shpirtit e dashurisë së popullit, jashtë sakrificave aq të shumta që i bëri nëpër kapërcejtë e shekujve dhe jashtë kujtesës së dhimbshme të historisë sonë, por të gjitha këtyre ai u jep një dimension universal”. Ndërkaq, Prof. Sulejman Dermaku (redaktor i librit), tregimet e vëllimit ‘Makth’ të Gani Bytyçit i quan ,,pasqyrë e një kohe të ankthshme”. Gjithashtu për këtë libër janë shprehur edhe shkrimtari Besnik Mustafaj, kritiku Xhemal Ahmeti e të tjerë. Me lexime fragmentesh nga libri ‘Makth’ u paraqiten aktorët Ramadan Morina, Fikrim Morina dhe Qëndresë Kuqi. Takimin e përcolli me lojë në piano pianistja e re Delina Nuhiu (anëtare e Ansambit ‘Trojet’).
Në fjalën e tij, autori Gani Bytyçi, pasi përshëndeti të pranishmit, tha: ”Të nderuar kolegë, miq të dashur, dashamirë të fjalës së shkruar, të gjithë ju që jeni të pranishëm, u jam shumë mirënjohës dhe ju falënderoj nga zemra për praninë tuaj. Vërtet u ndjeva ngushtë nga fjalët e mëdha dhe vlerësimet e larta që më bëtë ju për veprën time modeste. Unë mendoj se kur një krijues e vlerëson dhe e çmon veprën e tjetrit, kjo është fisnikëri dhe një ndjenjë shumë miqësore, është virtyt, si rasti i mikut tim Shefqet Dibrani, sonte këtu. Ndaj edhe unë i kam marrë si të tilla fjalët dashamirëse dhe vlerësimet e larta që më kanë bërë miqtë e mi shkrimtarë, kritikë e studiues të letërsisë. Mendoj se një shkrimtar është i lidhur pashkëputshëm për fatin dhe dramën që jeton vendi dhe kombi i tij. Ky edhe ishte preokupimi im jetësor, të cilin jam përpjekur që ta kthej në preokupim artistik në të gjithë krijimtarinë time. Unë ju shpreh gjithë falënderimin dhe mirënjohjen time organizatorëve të këtij takimi e që janë miqtë e mi, të cilët prej shumë vitesh merren me organizimin, kultivimin dhe ruajtjen e prezentimin e vlerave kulturore, si Arsim Berisha, Zeqë Gashi, Petrit Bytyçi, Nexhmedin Isufi. Falënderoj, gjithashtu, miqtë e mi shkrimtarë e gazetarë; Muharrm Blakajn, Blerim Shabanin e të tjerë.’ Takimi u përcoll me një interesim të madh nga të pranishmit, gjë që dëshmon se artdashësit këtu janë të etur për organizime të mira dhe vlera të mirëfillta letrare dhe kulturore-artistike.
Në fund, për të pranishmit, nga Ansambli ‘TROJET’ (nikoqir i takimit) u shtrua një aperitiv, ku biseda rreth letërsisë e artit vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes.
Në emër të Ansamblit ‘TROJET’ e falënderojmë përzemërsisht artistin Gani Bytyçin për këtë mbrëmje artistike shumë të këndshme.
Për Ansamblin ‘TROJET’ Zeqë Gashi