ANSAMBLI ‘TROJET’ KREMTOI 11 VJETORIN E PAVARËSISË

Fundjavën që shkoi, në Wintertur, organizuar nga Ansamblit ‘TROJET’, u kremtua 11 vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Në prani të mërgimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, mirëseardhje dhe çaste të këndshme mysafirëve iu uroj Zeqë Gashi, kryetar i Ansamblit ‘TROJET’. Në vazhdim me fjalë përshëndetëse u paraqitën Shukrije Ramadani, Gani Bytyçi, Sali Sefaj dhe Naser Ulaj. Në këtë mbrëmje Ansambli ‘TROJET’ u paraqit me një program mjaft të pasur këngësh e vallesh. Mysafir i mbrëmjes ishte edhe këngëtari i mirënjohur Xhemail Murtishi.

Në vazhdim po japim fjalën dhe urimin përshëndetës të Gani Bytyçit:

Urim për këtë përvjetor
Zonja e zotërinj, përfaqësues të institucioneve të vendit, fëmijë të dashur, miq të nderuar, përshëndetje!

Dua t`i përgëzoj drejtuesit e Ansamblit ‘Trojet’; Zeqen, Arsimin, Petritin, Blerimin dhe gjithë Ansamblin, të cilët me shumë përkushtim dhe entuziazëm po përpiqen të ruajnë e kultivojnë dhe ta përcjellin tek brezi i ri frymën kulturore, letrare, muzikore të Atdheut nëpërmjet këngës e valles, librit e teatrit dhe artit përgjithësisht. Dhe kjo, jo vetëm që është aq e nevojshme për ndërtimin shpirtëror të brezit të ri, por është edhe krejt e shenjtë. I përgëzoj të gjithë këta të rinj e të reja për dëshirën dhe vullnetin, përkushtimin dhe talentin që shprehin për të qëndruar të lidhur për rrënjën, gjuhën, gjakun dhe kulturën e Atdheut dhe kombit të tyre. Ndaj këta e gjithë fëmijët e tjerë, dhe brezat e fëmijëve që do të vijnë pas nesh, i uroj që gjithmonë të bëjnë gjumë të qetë e pa ankth, pa ëndrra të trishtueshme dhe nocionin luftë ta njohin e ta mësojnë vetëm nga historia dhe si kujtesë që ata i lidh me sakrificën e të parëve të tyre. Uroj që kurrë më të mos ketë fëmijë bonjakë, prindërit e të cilëve të kenë rënë në luftë me armikun! Uroj që kurrë më në Atdheun tim të mos ketë qeli burgu për atdhetarë e mendimtarë! Uroj që luftëtarët e lirisë kurrë ma të mos kenë nevojë t`i marrin armët për të luftuar robërinë, tiraninë dhe pushtuesin! Uroj që kurrë ma në fytyrat e nënës, gruas, motrës, mos të shohim lot dhembjeje për birin, për vëllanë, për bashkëshortin e rënë në luftë me armikun! Uroj që kurrë ma zogjtë e Atdheut tim të mos i trembë ankthi i robërisë! Uroj që poetët, këngëtarët, piktorët, artistët përgjithësisht, kurrë ma të mos kenë nevojë të thurin vargje pikëllimi e trishtimi të jetës në robëri, që këngëtarët të mos këndojnë këngë për flijimin e trimit për liri, që artistët të mos bëjnë portrete luftëtarësh të përgjakur! Uroj që vargu i poetit të thuret e latohet vetëm për jetën, që kënga të jehojë vetëm për gëzimin, që koloriti i piktorit të shkëlqejë si ylber vetëm për lirinë dhe dashurinë, për prosperitetin, emancipimin dhe bashkimin e kombit!
Gëzuar Dita e Lirisë, miq të nderuar! Gëzuar, fëmijë të dashur dhe gjithmonë paçi vetëm gëzime lirie! Gëzuar dhe ju nëna, gra, motra! Gëzuar të gjithë ju të pranishëm! Gëzuar Ditën e Lirisë!