Ju të dashur, mbi 60 anëtarë të rregullt ndër vite,
të dashur prindër, miq të shumtë e përkrahës të vazhdueshëm të të gjitha formave për mirëmbajtjen e këtij tempulli arti e kulture këtu në mërgatë, Ansamblit tonë “TROJET”,
të respektuar spektatorë të rregullt e ju këngëtarë e këngëtare vullnetarë që na madhështoni programet tona përherë,
urimet më të sinqerta për Ju në jubileun e 8-të të themelimit të ansamblit tonë me mirënjohje të thellë, GËZUAR!
Urimi kryesor në këto momente pandemie globale, që edhe ne po e kalojmë tash e sa kohë, është që të kemi shëndet në familjet tona dhe të lutemi që sa më shpejt t’i kthehemi normalitetit e aktiviteteve tona të rregullta si përherë. Ansambli ynë “TROJET”, që udhëhiqet nga një kryesi vullnetare pothuaj nga të gjitha trojet shqiptare, në misionin e tij përmban në thelb dashurinë, punën vullnetplotë për një organizim të mirëfilltë në fushën e artit, traditës e kulturës kombëtare në përgjithësi.
Prandaj, me këto 8 vite aktivitete ne së bashku arritëm, bashkudhëtuam e bashkëvepruam si më së miri në ruajtjen, kultivimin dhe prezantimin e vlerave tona popullore e tradicionale përmes interpretimit të këngës, valles, koreodramës, kostumografisë, riteve e zakoneve në mënyrën më të mirë të mundshme, vlera këto të ruajtura e të përcjella ndër shekuj. Ansambli ynë brenda këtyre 8 viteve vetorganizoi dhjetëra koncerte të ndryshme, promovime librash, ekspozita kolektive e personale, ngjarje e shfaqje në fushën e arteve pamore; teatër, dramë, komedi, film etj. Të gjitha këto vërtet ishin për çdo lakmi. Është niveli artistik në përgjithësi që na ka karakterizuar përherë dhe atë, para së gjithash, falë udhëheqjes nga një pasionant arti këtu në mërgatë, siç është artisti Arsim Berisha (piktor, valltar e koreograf), i cili po lë gjurmë gjithnjë e më shumë e kudo me punën e tij.
Ansambli ynë “TROJET” si arritje dhe kujtim të bukur padyshim që do ta ketë pjesëmarrjen përtej Atlantikut, në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në vitin 2019, që vërtetë do na mbetet si ngjarja e kujtimi më i veçantë deri më tash. Gëzim tjetër i radhës padyshim që do të jetë edhe pjesëmarrja në festivalin më prestigjioz të folklorit shqiptar, në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër si dhe në festivale të tjera në trojet shqiptare.
Së këndejmi, në emër të kryesisë aktuale, të udhëhequr nga Zeqë Gashi, Petrit Bytyqi, Taip Zeqiri, Blerim Bunjaku, Blerim Qollaku, Hamim Xhemaili, Bubekir Morina dhe veçmas udhëheqësit artistik, Arsim Berisha, edhe një herë ju urojmë nga zemra të gjithëve që të keni shëndet në familjet tuaja dhe na priftë e mbara në vijimësi!
Urime e gëzuar!
Të punojmë që të na vlerësojë e ardhmja!