Project Description

TROJET KREMTUAN 11 VJETORIN E PAVARËSISË
Fundjavën që shkoi, në Wintertur, në organizim të Ansamblit TROJET, u kremtua 11 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Në prani të mërgimtarëve të shumtë, përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, mirëseardhje dhe çaste të këndshme mysafirëve iu uroj Zeqë Gashi, kryetar i Ansamblit TROJET. Në vazhdim me fjalë përshëndetëse u paraqiten Shukrije Ramadani, Gani Bytyçi, Sali Sefaj dhe Naser Ulaj. Në këtë mbrëmje Ansambli TROJET u paraqit me një program mjaftë të pasur këngësh e vallesh. Mysafir i mbrëmjes ishte edhe këngëtari i mirënjohur Xhemail Murtishi.

Në vazhdim po japim fjalën dhe urimin përshëndetës të Gani Bytyçit:
Urim për këtë përvjetor
Zonja e zotrinj, përfaqësues të instittucioneve të vendit, fëmijë të dashur, miq të nderuar, përshëndetjetje. Dua t`i përgëzoj drejtuesit e Ansamblit Trojet, Zeqen, Arsimin, Petritin, Blerimin dhe gjithë Ansamblin, të cilët me shumë përkushtim dhe entusiazëm po përpiqen të ruajnë e kultivojnë dhe ta përcjellin tek brezi i ri, frymën kulturore, letrare, muzikore të Atdheut nëpërmjet këngës e valles, librit e teatrit dhe artit përgjithsisht. Dhe kjo, jo vetëm që është aq e nevojshme për ndërtimin shpirtëror të brezit të ri por është edhe krejt e shenjtë. I përgëzoj të gjithë këta të rinjë e të reja për dëshirën dhe vullnetin, përkushtimin dhe talentin që shprehin për të qëndruar të lidhur për rrënjën, gjuhën, gjakun dhe kulturën e Atdheut dhe Kombit të tyre. Ndaj këta e gjithë fëmijët e tjerë, dhe brezat e fëmijëve që do të vijnë pas nesh, i uroj që gjithmonë të bëjnë gjumë të qetë e pa ankth, pa ëndrra të rishtueshme, dhe nocionin luftë ta njohin e ta mësojnë vetëm nga historia dhe si kujtesë që ata i lidh me sakrifiqën e të parëve të tyre. Uroj që kurrë më të mos ketë fëmijë bonjakë, prindirit e të cilëve të kanë rënë në luftë me armikun. Uroj që kurrë më në atdheun tim të mos ketë qeli burgu për atdhetarë e mendimtarë. Uroj që luftëtarët e lirisë kurrë ma të mos kenë nevojë t`i marrin armët për të luftuar robërinë, tiraninë dhe pushtuesin. Uroj që kurrë ma në fytyrat e nënës, gruas, motrës, mos të shohim lot dhembjeje për birin, për vëllain, për bashkëshortin e rënë në luftë me armikun. Uroj që kurrë ma zogjtë e atdheut tim të mois i trembë ankthi i robërisë. Uroj që poetët, këngëtarët, piktorët, artistët përgjithësisht, kurrë ma të mos kenë nevojë që të thurin vargje pikëllimi e trishtimi të jetës në robëri, që këngëtarët të mos këndojnë këngë për flijimin e trimit për liri, që artistët të mos bëjnë portrete luftëtarësh të përgjakur. Uroj që vargu i poetit të thuret e latohet vetëm për jetën, që kënga të jehojë vetëm për gëzimin, që koloriti i piktorit të shkëlqejë si ylber vetëm për lirinë dhe dashurinë, për prosperitetin, emancipimin dhe bashkimin e kombit.
Gëzuar Dita e lirisë, miq të nderuar. Gëzuar, fëmijë të dashur dhe gjithmonë paçit vetëm gëzime lirie. Gëzuar dhe ju nëna, gra, motra. Gëzuar të gjithë ju të pranishëm. Gëzuar Ditën e Lirisë!